1. Roli i individit në histori.
2. Ndikimi i familjes në formimin e tij.
3. Roli dhe qëndrimi i tij për ngjarjet
në Shqipëri, 1864. Fillimet e veprimtarisë politike dhe diplomatike.
4. Qëndrimi i Ismail Qemalit ndaj
kryengritjes në vilajetin e Kosovës.
5. Roli i tij në njohjen e pavarësisë
së Shqipërisë.
6. Politika e brendshme në qeverinë e
Ismail Qemalit.
Roli i individit në histori.
Teksti dhe programi i historisë së
Shqipërisë shumë pak ka ndryshuar në formë dhe përmbajtje. Në kushtet dhe
situatat në të cilat ndodhemi sot, është e rëndësishme të përcjellim nëpërmjet
historisë frymën e tolerancës dhe paqes. Roli i individit në histori është
shumë i rëndësishëm si udhëheqës dhe reformator i ndryshimit të situatave dhe
të ngjarjeve në të mirë ose jo të vendit. Në qoftë se do të lexoni me kujdes,
në kapitullin X dhe XI janë shkruar me hollësi ngjarjet dhe kryengritjet e
shumta që kanë ndodhur në këtë periudhë. Kjo periudhë është një nga periudhat
më të ndritura të historisë, pasi aty shihet finalizimi njëmijëvjeçar i
përpjekjeve të shqiptarëve për ta parë vendin e tyre si një shtet që figuron në
hartën e Ballkanit. Duke u nisur nga ideja që në ndryshimet dhe
transformimet në histori rol parësor luan individi, për këtë periudhë, pa
dyshim, rol parësor ka luajtur figura e diplomatit të pazëvendësueshëm që ka
njohur historia shqiptare, ajo e plakut të urtë Ismail Qemali. Ky personalitet
historik për 60 vjet u mundua të tregonte para diplomacive europiane mënyrën
dhe rrugën më të drejtë të respektimit të kombeve. Do të ishte më mirë të
flitej më shumë për përpjekjet e tij diplomatike në detaje të takimeve,
bisedave, qoftë me figura historike të kombit shqiptar, qoftë me diplomatë të
huaj. Do të ishte tepër interesante që në këta kapituj të flitej më shumë rreth
kësaj figure historike, për jetën private, fillimet e veprimtarisë politike,
rolin e tij në revolucionin xhonturk, Parlamentin Osman, misionin e
Bukureshtit, përpjekjet e tij për njohjen e kufijve. Me mënyrën si kërkonte të
ndërtonte shtetin, mund të themi se ai hodhi themelet e një shteti të
mirëfilltë kapitalist jo vetëm në politikat ekonomike, agrare, fiskale, por
edhe në politikën e brendshme dhe të jashtme. Në rishikim të temave të këtyre
dy kapitujve duam të përcjellim idenë për përdorimin e rrugës diplomatike në
njohjen e çështjes shqiptare. Duke folur pak më shumë për këtë figurë historike
në këta kapituj, ky personalitet bëhet një shembull edukimi në ditët e sotme.
Në kushtet aktuale në të cilat jetojmë sot, nuk do të lija pa përmendur thënien
e shkrimtarit tonë Ismail Kadare : "Shqipëria është një vend i vogël, ajo
nuk ka një diplomaci tradicionale dhe na mbetet ne shkrimtarëve ta
mbrojmë.".
Duke marrë një periudhë kaq të
rëndësishme ku luheshin fatet e ekzistencës si komb, është pikërisht Ismail Qemali
që, me maturinë dhe pjekurinë dhe pjekurinë e tij politike, e bëri çështjen
shqiptare të njohur në arenën europiane, prandaj të vendoset në qendër roli dhe
figura e Ismail Qemalit me gjithë madhështinë e tij, duke bërë ngushtimin e
temave të mëparshme. Ai ndërtoi një qeveri demokratike ku përfshiu në të
edhe përfaqësues të shtresës çifligare dhe në mënyrën si kërkonte të
trajtonte pronësinë mbi tokën. Në organizimin e sistemit arsimor objektivat
qene mjaft të qarta, ai kërkonte jo vetëm njësimin e gjuhës shqipe, por edhe
përdorimin e asaj të huaj, gjuhës frënge, si gjuhë komunikimi në administratë.
Ndikimi i familjes në formimin e tij.
Tek një personalitet, ndikim shumë të
madh dhe kryesor në formimin e tij politik luan edhe origjina e familjes. Fakti
se ai ishte bir i një prej familjeve më të pasura, treqindvjeçare, nga e cila
vazhdimisht kishin dalë qeveritarë që, si pashallarë apo bejlerë, sunduan në
Sanxhakun e Vlorës. Ndikimi i drejtpërdrejtë i të atit në njohjen e përpjekjeve
të shqiptarëve kundër pushtuesit turk, ushqyen tek ai ndjenjat e atdhetarizmit
dhe njohja e shumë gjuhëve të huaja, largpamësinë në njohjen e problemeve dhe
rrugëzgjidhjen e tyre.
Arsimimi në gjimnazin “Zosimea” në
Janinë zgjeroi më shumë njohuritë e tij në fushën e kulturës antike dhe modern.
Fakti se kjo shkollë ishte qendra e përhapjes së iluminizmit përparimtar
europian, la gjurmë në reformat që ai do të propozontemë vonë në ndarjen
administrative të Perandorisë Osmane ku kërkonte të respektohej liria e
popujve, dhe në reformën agrare ku çdo individ ka të drejtë të zotërojë pronë.
Në vitin 1860 ai punoi si përkthyes në Ministrinë e Punëve të Jashtme osmane.
Vazhdimi i studimeve në shkencat juridike, punësimi në administratën osmane si
sekretar dhe si guvernator, e bënë më të ndjeshëm në njohjen e problemeve të
vështira që kërkonin zgjidhje duke lënë gjurmë në idetë e tij liberale e
demokrate.
Njohja e tij me reformatorin turk
Mithat Pasha dhe idetë e tij se modernizimi i Perandorisë Osmane mund të bëhej
me anë të reformave dhe jo me anë të revolucioneve, u bënë nxitje në
përpjekjet e tij për rrugën që kërkonte të ndiqte në vendosjen e autonomisë së
Shqipërisë me anë të dialogut dhe bisedimeve me diplomatë europianë. Idetë liberale dhe demokrate të Ismail
Qemalit duken edhe në faktin se ai ishte kundër persekutimit racor që i bëhej
në atë kohë izraelitëve: “Është turp dhe krim të shash dhe të mundosh një
popull të tërë vetëm e vetëm se ka lindur dhe është i një race tjetër”.
Pra ai kërkonte bashkëjetesë paqësore të racave dhe të etnive në Ballkan.
Si analist i problemeve dhe krizave që kishin kapur Perandorinë Osmane, ai
shpesh hidhte idenë e reformave administrative. Qëndrimet dhe idetë e tij
reformatore në decentralizimin e Perandorisë dhe dhënies sa më shumë pavarësi pushtetit
local, mbështeteshin dhe nga shtypi europian i asaj kohe.
Roli dhe qëndrimi i tij për ngjarjet në Shqipëri në vitin 1864.
Viti 1864 do ta gjente Ismail Qemalin në mbledhjen e organizuar nga patriotët
shqiptarë për krijimin e shoqërisë së Stambollit ku ai hodhi idenë e përdorimit
të alfabetit latin për gjuhën shqipe, që tregon prirjet e tij përparimtare
europiane. Për sa i përket Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe rolit të saj,
shohim se Ismail Qemali qëndroi indiferent dhe nuk u aktivizua, pasi i përmbahej
idesë së reformimit të Perandorisë Osmane nëpërmjet pavarësisë së pushteteve
lokale. Ai ishte kundër kryengritjes së armatosur, pasi kjo nuk ishte rruga
diplomatike e zgjidhjes së problemeve në kohën kur kalbëzimi i Perandorisë
Osmane vërehej në arbitraritetin dhe anarkinë e saj. Ismail Qemali kërkonte që
kombi i tij t'i zgjidhte problemet me sa më pak gjakderdhje. Duke analizuar me
mendjeprehtësi se cila ishte e ardhmja e Perandorisë Osmane, ai mbështeti fort
tezën e autonomisë lokale nën Perandorinë Osmane. Fuqitë europiane në atë
periudhë i shihnin kryengritjet e armatosura si rruga më pak e efektshme për
zgjidhjen e problemeve. Ato më shumë do të mbështetnin Perandorinë Osmane në
shtypjen e kryengritjeve, sesa kombet që vuanin prej shekujsh në të. Në reformën
administrative të Perandorisë Osmane ai kërkonte bashkimin e vilajeteve
shqiptare në një të vetëm me qendër Manastirin ose Ohrin si dhe arsimimin e
popullsisë. Synimet e monarkive ballkanike të cilat kërkonin të aneksonin
trojet shqiptare, bënë që Ismail Qemali të mbështeste fort idenë e një vilajeti
të vetëm nën Perandorinë Osmane. Këtë e kërkonte që Shqipëria të njihej në hartën
e Ballkanit dhe pavarësia e saj do të vinte gradualisht, ateherë në kohën
e shthurjes së Perandorisë Osmane Shqipëria do të ishte një shtet i pavarur.
Pra nuk ishte koha e organizimit të kryengritjeve të armatosura ku të luftohej
për çlirimin e vilajeteve, në kohën kur shtetet fqinjë nuk e njihnin si komb më
vete, por të copëtuar ku ato mund të zgjidhnin. Amullia politike në Perandorinë
Osmane dhe arbitrariteti i saj bënin që situatat dhe ngjarjet në Ballkan të
vendoseshin nga popujt sipas mënyrës së vet dhe mendësive të tyre. Mënyra si kërkonte
të zgjidhte çështjen shqiptare ishte një nga rrugët më të drejta dhe më demokratike
që tregonte pjekurinë politike të tij. Ky është një nga problemet që lë shumë për
të diskutuar, se ne jemi i vetmi komb që u copëtua më shumë. Mbrojtja e idesë për
një Shqipëri autonome nën Perandorinë Osmane nuk do të thotë se Shqipëria do të
ngelej përjetësisht nën të, pasi shkatërrimi i saj po vinte në mënyrë natyrale.
Pjesëmarrja e Ismail Qemalit në Kongresin xhonturk, më 4 shkurt 1902 dhe plani
i fshehtë në organizimin e grushtit të shtetit për rrëzimin e sulltan Abdyl
Hamitit, tregon se Ismail Qemali tashmë po hidhej në veprime konkrete për
realizimin e reformave të tij në Perandorinë Osmane. Ai kërkonte të tërhiqte vëmendjen
e fuqive europiane që të shtrëngonin Perandorinë Osmane në decentralizimin e
pushteteve.
Ismail Qemali u mundua të krijonte terren të përshtatshëm edhe me fqinjët për
arritjen e synimeve të tij kombëtare. Ai dinte shumë mirë të shfrytëzonte
situatat dhe konfliktet midis shtetit bullgar dhe atij grek duke krijuar
afrimitet me këtë të fundit mbi bazën e parimit të bashlëpunimit dhe të mosndërhyrjes
së ndërsjellë. "Grekët dhe shqiptarët, pa dallim feje, jemi vëllezër dhe
miq, kemi interesa dhe rreziqe të përbashkëta". A nuk do të ishte kjo
aktuale edhe për ditët tona? Po kështu, në intervistën e tij të dhënë gazetës
"Tribuna", në vitin 1907, ai thekson se duhet të krijohet një Shqipëri
e bashkuar dhe e fortë, gjë që është në interes të Ballkanit dhe të Italisë për
të mos zëvendësuar Perandorinë Osmane me atë sllave në Ballkan. Pra po perëndonte
koha e perandorive dhe ishte koha e krijimit të kombeve të reja dhe e
respektimit të tyre. Takime dhe biseda me personalitete të ndryshme në Greqi,
Itali, Egjipt, Bruksel, Paris, Vjenë, tregojnë qartë afirmimin e tij si
diplomat shumë i zoti që mbrojti me forcë çështjen kombëtare, jo vetëm të Shqipërisë,
por edhe të kombeve të tjera në Ballkan. Pavarësisht se në vendin tonë
ekzistonte një shtresë patriotësh, ata nuk ishin shumë qartë në format dhe mënyrat
që kërkonte Ismail Qemali në zgjidhjen e çështjes shqiptare, prandaj ngeleshin
gjithmonë në kuadrin e kryengritjes së armatosur. Ismail Qemali këmbëngulte me
forcë në arsimimin e popullsisë, që do të çonte në ngritjen kulturore të tyre.
Qëndrimi i Ismail Qemalit ndaj kryengritjes në vilajetin e Kosovës.
Duke analizuar shkaqet e kryengritjes së 1910-s, Ismail Qemali sheh si pikënisje
protestat për taksat e shumta që paguante populli dhe politikën shtypëse
ushtarake të xhonturqve në Kosovë. Për mosacarimin e mëtejshëm të situatës
midis popullit kosovar dhe Perandorisë Osmane, Ismail Qemali, në diskutimet në
Parlamentin osman, vuri në dukje përfitimet e mëdha që kishte pasur Perandoria
Osmane nga shqiptarët, kontributin e veçantë që ata kishin dhënë në fitoren e
revolucionit xhonturk dhe mbrojtjen e Kushtetutës. Mënyra si e trajtoi kryengritjen
e 1910-s në Parlamentin osman, rriti prestigjin dhe autoritetin e tij në Shqipëri
si një personalitet që kishte dhënë prova të shumta patriotizmi. Luftën
diplomatike ata e lidhën më luftën parlamentare në të cilën ishin vetë
xhonturqit që ua imponuan patriotëve shqiptarë dhe në mënyrë të veçantë
Ismail Qemalit. Rrethanat dhe situatat ishin aq të ndërlikuara, saqë ai
arriti në përfundimin se shqiptarët do t'u dilnin punëve përpara vetëm në rast
se aspiratat e tyre do të shpreheshin me anë të kryengritjes së armatosur për të
tërhequr edhe më shumë vëmendjen edhe të fuqive të mëdha. Arsyen e shpërthimit
të kryengritjeve e shpjegon me faktin se shqiptarët e kishin humbur besimin
ndaj Kushtetutës. Ismail Qemali theksonte se me kërkesa individuale, rezoluta
dhe memorandume nuk mund të fitohet asgjë. Pas bisedimeve të pasuksesshme me
Austro-Hungarinë, Ismail Qemali, ky diplomat me një përvojë të madhe politike,
diplomatike, si udhëheqës që kishte qenë në shumë krahina të Perandorisë Osmane
gjatë karrierës së vet politike, vendosi edhe njëherë të vinte në kandar pulsin
e diplomacisë italiane për të ndihmuar Shqipërinë për njohjen e pavarësië. Kësaj
radhe mori përgjigje të prerë: po ne jemi të gatshëm të ndihmojmë Shqipërinë në
rrugën e pavarësisë, por kemi frikë të dalim publikisht në vijë të parë për
mbrojtjen e çështjes shqiptare, pasi në Ballkan ndeshet drejtpërsëdrejti
interesi anglo-rus në një anë dhe, në anën tjetër, interesi austro-gjerman. Pra
ndërhyrja jonë vetëm do të shpejtonte luftën ballkanike dhe interesi politik
italian do të ishte fare pa leverdi në aspektin politiko-strategjik. Në kohën
kur në Ballkan monarkitë greko-serbe po organizoheshin në lëvizje të reja, në
Shqipërinë kryengritja po merrte përmasa edhe më të mëdha. Ministri Qamil
Pasha, në takimin me Ismail Qemalin i ofroi nje post si udhëheqës në Tripoli.
"Unë nuk dua post, unë dua zgjidhjen e Shqipërisë, se i kam borxh kryekëput
atdheut tim".
Roli i tij në njohjen e Pavarësisë së Shqipërisë.
Më 9 nëntor 1912, nga Vjena dërgoi në Vlorë një telegram: "E ardhmja e
Shqipërisë është e sigurt, telegrafoni kudo, që të kenë besim në fatet e
atdheut". Të ndodhur në rrethana shumë të vështira ku ushtritë malazeze
dhe serbe kishin hyrë thellë në territoret shqiptare, më 28 Nëntor 1912, Ismail
Qemali vendosi të shpallte Pavarësinë e Shqipërisë. Pasi lexoi ekspozenë e vet
në mënyrë të shkëlqyer diplomatike, Ismail Qemali tha: "Tani nuk na ka
mbetur tjetër rrugë, veç ndarjes së Shqipërisë nga Turqia" dhe propozoi që
Shqipëria të shpallet "shtet më vete - i lirë, i pavarur". Me aktin e
Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, kryetari i Qeverisë së Përkohshme,
Ismail Qemali, më 29 Nëntor 1912 i njoftoi për aktin historik gjashtë fuqitë e
mëdha: Anglinë, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë, Rusinë dhe
shtetet ballkanike: Rumaninë, Malin e Zi, Serbinë, Bullgarinë, Greqinë, Turqinë,
duke kërkuar të njihnin Aktin e Pavarësisë, si ndryshim i vullnetit politik të
kombit shqiptar. Në njoftim thuhej se Shpallja e Pavarësisë ishte vullnet
politik i popullit shqiptar duke pasur për qëllim të jetojë në paqe dhe harmoni
me të gjitha shtetet fqinje. Shqiptarët kërkojnë të jenë të lirë dhe të bashkëjetojnë
në mënyrë paqësore me fqinjët e tyre. Pas njëzet ditëve të Shpalljes së Pavarësisë
së Shqipërisë në kufijtë historiko-etnikë, fuqitë e mëdha njoftuan Shpalljen e
Pavarësisë së Shqipërisë. Kjo ishte një çështje me rëndësi shumë të madhe për
popullin shqiptar, aq më tepër duke marrë parasysh se aleatët ballkanikë u
detyruan të pranonin Shqipërinë e pavarur. Më 22 mars 1913 fuqitë e mëdha dolën
me propozim të ri për ndarjen e Shqipërisë në dy pjesë. Ky lloj arbitrizmi që
iu bë popullit shqiptar, nuk mbahet mend në historinë e njerëzimit, pasi nuk ka
asnjë shtet që të kufizohet nga të gjitha anët me popullin e vet. Mis Edit
Durham thotë: "Kjo ishte një kurdisje e shteteve fqinjë dhe e fuqive të mëdha
me në krye Rusinë". Problemi i kufijve kushtëzohej kryesisht nga dy faktorë:
Nga njëra anë, Shqipëria prej shekujsh kishte qenë vërtet një nocion etnik, pa
pasur asnjëherë ndonjë përcaktim gjeografik apo politiko-administrativ. Në këtë
vështrim, kërkesa këmbëngulëse e shqiptarëve që nga vitet 1878 e prapa që
trevat shqiptare nga ana tekniko-administrative të përfshiheshin në kuadrin e Perandorisë Osmane ishte plotësisht e përligjur.
Por, nga ana tjetër, ishte rrethana që kufijtë e Shqipërisë së ardhme mund të bëheshin
vetëm nëpërmjet një kompromisi. Nga kjo mangësi Shqipëria ka njohur gjithmonë vështirësi
politiko-ekonomike dhe nuk ka pasur kurrë qetësi. Austro-Hungaria u angazhua me
të gjitha forcat e saj për plotësimin e kërkesave të shqiptarëve në Veri dhe në
Verilindje, Italia për ato në Jug dhe Juglindje. Që të dyja këto shtete
luftuan, ndonëse jo në shkallë të njëjtë për krijimin e një Shqipërie të aftë për
të jetuar. Ambiciet e verbëra të Esat pashë Toptanit ishin rrjedhoja të
papjekurisë politike të shqiptarëve, por edhe rezultat i intrigave të fqinjëve
tanë ballkanikë të cilët donin pengonin me çdo kusht lindjen dhe zhvillimin
normal të Shqipërisë së re.
Politika e brendshme në Qeverinë e Ismail Qemalit.
Ismail Qemali filloi veprimtarinë e tij si kryetar i Qeverisë së Përkohshme
në rrethana shumë të vështira nga ku dilnin detyra të mëdha e të ndërlikuara:
- Njohja e shtetit shqiptar në arenën ndërkombëtare,
- Caktimi i kufijve politikë në hapësirën etnike shqiptare,
- Konsolidimi i autoritetit të Qeverisë së Përkohëshme.
Veprimet për forcimin e shtetit shqiptar u përcaktuan nga raportet klasore
dhe situata politike e vendit . Duke marrë parasysh se shteti i ri ishte një
shtet çifligaro-borgjez dhe organizimi i brendshëm i jetës së vendit do të
pasqyronte interesat e këtyre klasave, Ismail Qemali iu përvesh punës për të vënë
në jetë një politikë të brendshme sa më progresive.
1. Ndërtimi
administrativ i Shqipërisë.
Varianti i ndarjes së
Shqipërisë në kantone sipas modelit zviceran, duke iu përshtatur autonomive
krahinore, u hodh poshtë nga patriotët shqiptarë. U pranua varianti i ndarjes së
vendit në prefektura, nënprefektura dhe krahina. Kjo ndarje e vendit ndryshonte
nga ajo e Perandoritë Osmane, duke i dhënë shtetit shqiptar në një farë shkalle
fizionominë e një sheti modern. Ismail Qemali mendonte se zhvillimi i shpejtë i
vendit nuk mund të realizohej pa një ndihmë financiare nga jashtë dhe pa përkrahjen
e kapitalit të huaj nëpërmjet dhënies së koncesioneve.
2. Krijimi i Bankës
Kombëtare.
Ismail Qemali e
shihte si çështje tepër të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit dhe për
t'i ardhur në ndihmë borgjezisë së dobët shqiptare, si dhe për krijimin e një
sistemi monetar dhe të kreditit në Shqipëri duke pranuar parimisht dhe
kapitalin e huaj. Marrëveshjen për ngritjen e bankës ai e quajti "fitimin
e dytë pas lirisë, nga pikëpamja ekonomike dhe politike".
3. Reforma agrare.
Në fjalimin që mbajti
më 21 tetor 1913, Ismail Qemali preku edhe çështjen e tokës. Ai shfaqi idenë e
një reforme agrare duke e trajtuar si një borgjez liberal. Kërkonte pajisjen e
fshatarit me tokë kundrejt pagesës duke mos cenuar pronësinë e madhe private
mbi tokën. Ai ngriti një komision shtetëror për shqyrtimin e kufijve të çifligarëve
sipas tapive, me qëllim që t'i ktheheshin shtetit dhe fshatarëve tokat e
grabitura nga çifligarët. Kjo solli kundërshtimin e madh të çifligarëve.
Kalimi i pronave të Perandorisë Osmane shtetit shqiptar ishte një masë e rëndësishme
nga pikëpamja kombëtare. Ai nuk arriti të realizonte një reformë agrare
borgjeze, nga marrëdhëniet e vjetra çifligare mjaft të theksuara, mungesa e një
rryme të fortë demokratike në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe sundimi i gjatë
osman.
4. Politika arsimore.
Idetë e tij të
shfaqura qysh në vitin 1900 për arsimin tashmë po bëheshin realitet. Ai ishte për
një arsim të përgjithshëm falas dhe laik, për përdorimin e gjuhës shqipe si
gjuhë zyrtare dhe diplomimin e mësuesve (hapet Normalja e Elbasanit). Si
përkrahës i të drejtave të pakicave kombëtare, ai pranoi shkollimin e tyre në
gjuhën amtare, por që do të bëhej vetëm atëherë kur në qytete të kishte koloni
të huaja të mëdha. Të huajt mund të hapnin shkolla profesionale. Si gjuhë të
dytë në administratë, Ismail Qemali ishte për vendosjen e gjuhës frënge, pasi
ajo ishte gjuhë ndërkombëtare.
BOTUAR NE BULETININ E INSTITUTIT TË KURRIKULAVE DHE STANDARDEVE
(Tiranë 2006)
No comments:
Post a Comment