"Nella scuola in tempi di pandemia: una sfida al cambiamento"
“Cerchiamo insieme di trovare soluzioni, avviare processi di trasformazione senza paura e guardare al futuro con speranza. Invito ciascuno ad essere protagonista di questa alleanza, facendosi carico di un impegno personale e comunitario per coltivare insieme il sogno di un umanesimo solidale, rispondente alle attese dell’uomo e al disegno di Dio”
Papa Francesco
Me rastin e 60 vjetorit të shkollës sonë, për merita të veçanta që ka pasur ndër vite, gjimnazi “Petro Nini Luarasi” u nderua nga Presidenti i Republikës me titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”. Gjimnazi ynë, gjithashtu zë vendin e parë sipas Kartës së performancës së gjimnazeve.
Në këtë vit mësimor përveç arritjeve tona, ne kemi kaluar dhe tronditje të mëdha në aspektin psikologjik, pasi vendi ynë përjetoi dy tërmete të fuqishme në muajt shtator dhe nëntor të vitit 2019. Kjo katastrofë natyrore solli përveç të tjerave edhe ndërprerje të procesit mësimor. Por, situata u vështirësua akoma më shumë, pasi vendi ynë u përfshi, ashtu si e gjithë bota, në pandeminë e Covid-19.
Covid-19 ndryshoi gjithçka jo vetëm në jetën tonë, por edhe në mësimdhënie. Me këtë rast dua t’ju shpreh mirënjohje të thellë të gjithë mësuesve të vendit tim, që në kushte jo të zakonta arritën të mbyllin këtë vit mësimor me sukses.
Vendi im, me urdhër të Qeverisë Shqiptare dhe Kryeministrit Edi Rama, reagoi në kohë, në marrjen e masave për ruajtjen e shëndetit të popullsisë, duke vendosur nga 9 marsi deri në maj 2020 gjendjen e karantinës dhe më tej gjendjen e jashtëzakonshme. Të gjithë qytetarët iu përgjigjën me korrektësi dhe bindje këtyre masave të forta të karantinës. Mbyllja në shtëpi krijoi një situatë tjetër të vështirë për mbarë shoqërinë tonë.
Ministria e Arsimit reagoi menjëherë duke na mobilizuar së pari ne, drejtuesit e shkollave, për ngritjen e strukturës për kalimin në mësimin on line.
Udhëzimet e nxjerra nga MASR (Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë) u zbatuan në mënyrë të përpiktë nga ne drejtuesit.
Fillimisht krijuam grupe të mësuesve në whatsapp. Drejtori i shkollës ishte i pranishëm dhe koherent me të gjitha grupet e krijuara në whatsapp, mësues, nxënës dhe prindër.
Ju bëj me dije, se gjimnazi ynë ka 1227 nxënës, ku përkatësisht kemi një sistem 3-vjeçar me paralele; klasat e 10–ta, që mbuloj unë si nëndrejtore kanë 404 nxënës, klasat e 11-ta kanë 419 nxënës dhe klasat e 12 ose maturat kanë 404 nxënës. Stafi drejtues që mbulon të gjithë shkollën përbëhet nga drejtori dhe 3 nëndrejtorë.
Unë personalisht isha në të gjitha grupet e whatsapit të klasave të 10-ta, ku përfshiheshin nxënësit e 12 klasave. Arsyet ishin: mbikëqyrja e mënyrës se si punonte mësuesi kujdestar me klasën e tij, kontrolli i mungesave të nxënësve, komunikimi me prindërit dhe marrja prej tyre e arsyes së mungesës së nxënësit në mësimin online, marrja e informacionit, se cilët nxënës nuk kishin mundësi në ndjekjen e mësimit on line, emrat e të cilëve drejtori i raportonte në ministrinë e arsimit. Nëpërmjet këtij raportimi ministria mori masa të menjëhershme për sigurimin e internetit free për prindërit që nuk kishin mundësi ta paguanin, duke u lidhur me kompanitë telefonike. U mundësuan telefona dhuratë dhe tableta për nxënësit që nuk kishin të tilla në të gjithë Shqipërinë.
Ndërsa në 9 mars u ndërpre mësimi në shkollë, në 12 mars u bë i mundur fillimi i mësimit on line. Kjo mënyrë pati një efekt pozitiv psikologjik të menjëhershëm tek të gjithë ne, mësues, nxënës dhe prindër. U vendos një orar, 3 orë mësimi në ditë me kohëzgjatje 90 minuta dhe pushim 30 minuta midis tyre.
Drejtori bënte apelin e mësuesve në orën 8:00 në mëngjes, ku përshëndetja u bë e përditshme, por që shkaktonte dhe ndjenja humori herë pas here. Pas përshëndetjes me mësuesit drejtoresha së bashku me ne nëndrejtoreshat diskutonte në whatsapp për organizimin e ditës dhe udhëzimet që vinin nga strukturat drejtuese të MASR-së.
Në orën 9:00 mësuesit kujdestarë lidheshin me klasat e tyre në kujdestari dhe bënin zgjimin e nxënësve, bënin kujtesën rreth orarit të mësimit, por edhe një përshëndetje ku në radhë të parë siguroheshim për shëndetin dhe problemet që mund të kishin. Unë si nëndrejtore isha në 12 grupet e whatsappit, duke i ndjekur njëkohësisht të 12 klasat dhe kur njihesha me problemet e tyre i raportoja tek drejtoresha, ku menjëherë merreshin masat. Mësuesit e fizkulturës dërgonin video nga interneti, por edhe të realizuara nga vetë ata, për gjimnastikën e mëngjesit, e cila kishte një kohëzgjatje prej 30 minutash.
Në orën 10:00 fillonte mësimi. Nxënësit ishin pjesëmarrës në të gjitha grupet e mësuesve të lëndëve shkencore dhe sociale.
Mësuesit në fillim përdorën whatsappin për të përcjellë mësimin me foto ose audio, por më vonë nga trajnimi online nëpërmjet mësuesit të teknologjisë së informacionit u ngritën classroom, gjë e cila solli një risi në mënyrën e përcjelljes së njohurive.
Shkolla jonë numëron 65 mësues që janë të moshave të ndryshme. Mësuesit më të vjetër në moshë e kishin më të vështirë të futeshin në mësimin online, por më vonë edhe ata u bënë pjesë e kësaj metode online. Mësimi duke llogaritur edhe pushimet midis tyre mbaronte në orën 16:00. Duke qenë se kishte një kohëzgjatje të madhe, reduktuam orët e mësimi me 60 minuta dhe pushimet 10 minuta midis orëve.
Dua të theksoj për punën e jashtëzakonshme që ka bërë MASR, e cila nuk u kufizua në përcjelljen e njohurive në këtë mënyrë lidhje gjatë gjithë kësaj periudhe.
Ministria bashkëpunoi me RTSH (Radio Televizioni Shqiptar), duke mundësuar mësimin nëpërmjet televizionit kombëtar. Në whatsapp na dërgoheshin oraret e transmetimit të lëndëve mësimore dhe stafi drejtues ua përcillte mësuesve, prindërve dhe nxënësve për t’i ndjekur live në tv. Këto mësime ritransmetoheshin edhe në oraret e mbasdites. MASR krijoi kanalin youtube ku kalonin mësimet e RTSH.
Gjithashtu mund t’ju them se kishte mësues që përdorën edhe metodën ZOOM për të pasur një kontakt të drejtpërdrejtë me klasën. Disa mësues të tjerë filluan të krijonin edhe kanale të tyre në youtube, në të cilat kalonin mësimet e regjistruara më parë. Këtë metodë kam përdorur dhe unë në mësimin e historisë.
Mësuesit jepnin edhe detyra për nxënësit, të cilët i dorëzonin duke i ngarkuar në classrroom, por sipas rastit ata i dërgonin edhe në email, ku pasi kontrolloheshin nga mësuesi përkatës, ai u jepte përgjigje për detyrën e dorëzuar po në email ose në whatsapp.
Mësimi online në Shqipëri ishte një sfidë jo vetëm për ne drejtuesit, mësuesit, nxënësit, por edhe për prindërit. Më lart unë falënderova mësuesit dhe MASR, por një falënderim të madh kam edhe për prindërit, të cilët u impenjuan në mënyrë maksimale për pjesëmarrjen e fëmijëve të tyre në mësim.
Sigurisht që mësimi online nuk e zëvendëson dot procesin mësimor në shkollë, por për situatën në të cilën ndodhet e gjithë bota, ne në Shqipëri e them me bindje se ia dolëm me sukses dhe në kohë rekord.
Në datën 18 maj për të mbyllur vitin mësimor në mënyrë dinjitoze, mësimi filloi edhe në shkollë, por vetëm për nxënësit e vitit të fundit, të cilët kishin për të mbyllur ciklin e studimeve në gjimnaz dhe do të vazhdojnë studimet e mëtejshme në universitet. Por, për klasat e 10 dhe 11 mësimi vazhdoi online deri në datën 29 maj, 2 javë përpara planifikimit të kalendarit vjetor.
Për sa i përket kthimit të mësimit në shkollë të maturantëve, për vetë kapacitetin e madh të nxënësve dhe duke respektuar udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë, na u desh t’i gruponim nxënësit me 10 veta në çdo klasë dhe duke i vendosur në të gjitha ambientet e klasave në të tre katet. U vendos orar i ri mësimor vetëm për ato lëndë mësimore që ishin provim për maturantët. Mësimi në shkollë filloi në 18 maj dhe mbaroi në 5 qershor.
Të gjithë mësuesit iu përgjigjën urdhrit të MASR për dhënien mësim paradite në shkollë dhe pasdite online për klasat e 10 dhe 11.
Nxënësit dhe mësuesit futeshin në shkollë në masa të rrepta sigurie shëndetësore: me maska të vendosura, u bëhej dezinfektimi në hyrje, u matej temperatura dhe pastaj futeshin në klasë. Në çdo bankë kishte dezinfektues duarsh, pasi dorashkat nuk ishin efikase për përdorim gjatë mësimit.
Mësuesit bënin përsëritje të njohurive që ishin pjesë të programit për provim mature. Një punë të madhe ka bërë edhe psikologia e shkollës, e cila si gjatë mësimit online, por edhe kur maturantët u kthyen në shkollë ka zhvilluar leksione mbi menaxhimin e stresit në kushtet e pandemisë.
Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit në lidhje me vlerësimin e nxënësve në regjistrat e shkollës për periudhën e mësimit online, nuk u bë vlerësim me notë në regjistër, por u lejua mësuesi që për nxënësit më sistematikë gjatë mësimit online t’ju jepej një notë plus në notën vjetore.
Provimet e maturës u mbyllën me sukses duke ndryshuar strukturën e testit. Testi ishte vetëm me alternativa dhe korrigjimi i testit bëhej në skaner.
Për mbylljen e dokumentacionit mësuesit u kthyen në shkollë me kohë të plotë deri në datën 12 korrik.
Disa nga përparësitë e mësimit online janë:
§ Mësimi online plotëson nevojat e të gjithëve që dëshirojnë të arsimohen pavarësisht vështirësive fizike, ekonomike etj.
§ Kërkesa minimale që nxënësit të marrin pjesë në një mësim online është qasja në një kompjuter në internet dhe motivimi për të pasur sukses në mësimin jo-tradicional.
§ Mësimi online ofron një metodë të shkëlqyer të shpërndarjes së mësimdhënies pa kufij nga koha ose nga vendndodhja dhe që lejon mundësinë e realizimit të mësimit kudo dhe në çdo kohë.
§ Mësim i Avancuar: Kjo formë e mësimdhënies rrit thellësinë e të menduarit dhe të kuptuarit mbi përmbajtjen e lëndëve mësimore, nxiten e diskutimeve më kuptimplote, theksohen aftësitë e të shkruarit, shkathtësohen aftësitë teknologjike dhe aftësitë e tjera të jetës sikurse janë menaxhimi i kohës, pavarësia dhe vetë-disiplinimi.
§ Pavarësia në të mësuarit: Mësimi online i vë nxënësit më shumë në pozita pune, u kalit atyre vullnetin dhe punën e pavarur, i shkund ata nga dembelizmi i të pasurit gjërat gati, si dhe u forcon logjikën.
§ Kursime: Akomodohen në mësimin online më shumë nxënës njëherësh, sepse hapësira është pa limit, menaxhohet koha më mirë dhe ka nevojë më pak për përsëritje.
§ Maksimizimi i burimeve fizike: Zvogëlohet kërkesa për infrastrukturë të kufizuar në shkollë.
Disa nga mangësitë e mësimit online janë:
§ Reagimet e nxënësve gjatë mësimit online duket sikur janë të kufizuara: sepse gjatë mësimit tradicional në auditor mësuesit mund t'ju japin nxënësve reagime të menjëhershme “ballë për ballë”. Zhvillimi i aftësive komunikuese të nxënësve shpesh neglizhohet nga mësuesit gjatë mësimeve online.
§ Mësimi online mund të shkaktojë izolim shoqëror: nëse përdoret për një kohë të gjatë, pavarësisht se metodat e mësimit online që praktikohen aktualisht në arsim duket sikur kanë tendencë t'i socializojnë nxënësit edhe virtualisht.
§ Të mësuarit online kërkon aftësi të forta të vetë-motivimit dhe menaxhimit të kohës nga ana e nxënësve: sepse disa nga nxënësit e shohin si të vështirë mësimin online.
§ Zakonisht një pjesë e mësuesve në internet kanë tendencë të përqendrohen më shumë në teori sesa në praktikë: sepse pjesa teorike është dukshëm më e lehtë për t’u zbatuar në një mjedis mësimi online sesa pjesa praktike.
§ Mësimi online është i kufizuar për disiplina të caktuara: Të gjitha disiplinat arsimore nuk janë krijuar si të barabarta dhe jo të gjitha fushat e studimit mund të përdoren në mënyrë efektive në mësimin online, të paktën tani për tani. Mësimi online është më i përshtatshëm për shkencat sociale dhe humane, sesa për fushat shkencore siç janë: matematika, fizika, informatika, të cilat zakonisht praktikohen në tabela apo laboratorë dhe platformat për aktivizimin e nxënësve në këto lëndë ende nuk janë ofruar, gjithashtu realizimi me sukses i këtyre lëndëve kërkojnë një shkallë të caktuar përvoje praktike online nga ana e mësuesve.
§ Problemet e rrjetit: Aksesi dhe qasja në internet janë një tjetër sfidë e mësimit online, e cila lidhet me mundësitë dhe vendndodhjen e nxënësve, me mjetet dhe infrastrukturën e nevojshme teknologjike, gjë që e bën të pabarabartë mundësinë e ndjekjes së mësimit online edhe për shkak të ekonomisë familjare.
Sugjerime për përmirësimin e mësimit online
Në ditët e sotme është ndërtuar një industri e tërë për ta bërë të mundur mësimin online në nivele cilësore.
Për sa i përket lëndëve specifike që janë kryesisht shkencore dhe bazohen në formula, sikurse janë lëndët: Matematikë, Fizikë, Informatikë, Kimi, kjo kërkon platforma specifike sikurse është "blackboard"( tabelë e zezë) ose smart board (tabelë magnetike) që në shkollën tonë janë të dyja, e cila në njëfarë mënyre zëvendëson tabelën, por nëse krijohen mundësi pjesëmarrje të nxënësve në klasë jo më shumë se dhjetë vetë. Por edhe mësimi në laboratorët në shkollë, ku mësuesi ndoshta dhe me dy nxënës prezentë të mund të demonstrojnë eksperimente në laboratorët kimi, fizikë, që shkolla jonë i disponon. Për lëndën matematikë mendoj që të vazhdojë shpjegimi i mësuesit në tabelë në klasë, duke e regjistruar mësimin dhe duke e përcjellë në kanal youtube. Një raste të tilla kemi mësuesen e matematikës që regjistroi mësimet e saj, duke i shkruar në tabelë.
Ka plotë risi teknologjike, na mbetet të marrim më të mirën.
Tiranë, Albania
18.07.2020
Ky artikull u botua ne fletoren zyrtare te D.I.S.A. L.it
No comments:
Post a Comment