Thursday, 3 August 2023

"Nella scuola in tempi di pandemia: una sfida al cambiamento"

"Nella scuola in tempi di pandemia: una sfida al cambiamento"

 

“Cerchiamo insieme di trovare soluzioni, avviare processi di trasformazione senza paura e guardare al futuro con speranza. Invito ciascuno ad essere protagonista di questa alleanza, facendosi carico di un impegno personale e comunitario per coltivare insieme il sogno di un umanesimo solidale, rispondente alle attese dell’uomo e al disegno di Dio”

Papa Francesco

 

Me rastin e 60 vjetorit të shkollës sonë, për merita të veçanta që ka pasur ndër vite, gjimnazi “Petro Nini Luarasi” u nderua nga Presidenti i Republikës me titullin “Kalorës  i Urdhrit të Flamurit”. Gjimnazi ynë, gjithashtu zë vendin e parë sipas Kartës së performancës së gjimnazeve.

Në këtë vit mësimor përveç arritjeve tona, ne kemi kaluar dhe tronditje të mëdha në aspektin psikologjik, pasi vendi ynë përjetoi dy tërmete të fuqishme në muajt shtator dhe nëntor të vitit 2019. Kjo katastrofë natyrore solli përveç të tjerave edhe ndërprerje të procesit mësimor. Por, situata u vështirësua akoma më shumë, pasi vendi ynë u përfshi, ashtu si e gjithë bota, në pandeminë e Covid-19.

Covid-19 ndryshoi gjithçka jo vetëm në jetën tonë, por edhe në mësimdhënie. Me këtë rast dua t’ju shpreh mirënjohje të thellë të gjithë mësuesve të vendit tim, që në kushte jo të zakonta arritën të mbyllin këtë vit mësimor me sukses.

Vendi im, me urdhër të Qeverisë Shqiptare dhe Kryeministrit Edi Rama, reagoi në kohë, në marrjen e masave për ruajtjen e shëndetit të popullsisë, duke vendosur nga 9 marsi deri në maj 2020 gjendjen e karantinës dhe më tej gjendjen e jashtëzakonshme. Të gjithë qytetarët iu përgjigjën me korrektësi dhe bindje këtyre masave të forta të karantinës. Mbyllja në shtëpi krijoi një situatë tjetër të vështirë për mbarë shoqërinë tonë.

Ministria e Arsimit reagoi menjëherë duke na mobilizuar së pari ne, drejtuesit e shkollave, për ngritjen e strukturës për kalimin në mësimin on line.

Udhëzimet e nxjerra nga MASR (Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë) u zbatuan në mënyrë të përpiktë nga ne drejtuesit.

Fillimisht krijuam grupe të mësuesve në whatsapp. Drejtori i shkollës ishte i pranishëm dhe koherent me të gjitha grupet e krijuara në whatsapp, mësues, nxënës dhe prindër.

Ju bëj me dije, se gjimnazi ynë ka 1227 nxënës, ku përkatësisht kemi një sistem 3-vjeçar me paralele; klasat e 10–ta, që mbuloj unë si nëndrejtore kanë 404 nxënës, klasat e 11-ta kanë 419 nxënës dhe klasat e 12 ose maturat kanë 404 nxënës. Stafi drejtues që mbulon të gjithë shkollën përbëhet nga drejtori dhe 3 nëndrejtorë.

Unë personalisht isha në të gjitha grupet e whatsapit të klasave të 10-ta, ku përfshiheshin nxënësit e 12 klasave. Arsyet ishin: mbikëqyrja e mënyrës se si punonte mësuesi kujdestar me klasën e tij, kontrolli i mungesave të nxënësve, komunikimi me prindërit dhe marrja prej tyre e arsyes së mungesës së nxënësit në mësimin online, marrja e informacionit, se cilët nxënës nuk kishin mundësi në ndjekjen e mësimit on line, emrat e të cilëve drejtori i raportonte në ministrinë e arsimit. Nëpërmjet këtij raportimi ministria mori masa të menjëhershme për sigurimin e internetit free për prindërit që nuk kishin mundësi ta paguanin, duke u lidhur me kompanitë telefonike. U mundësuan telefona dhuratë dhe tableta për nxënësit që nuk kishin të tilla në të gjithë Shqipërinë.

Ndërsa në 9 mars u ndërpre mësimi në shkollë, në 12 mars u bë i mundur fillimi i mësimit on line. Kjo mënyrë pati një efekt pozitiv psikologjik të menjëhershëm tek të gjithë ne, mësues, nxënës dhe prindër. U vendos një orar, 3 orë mësimi në ditë me kohëzgjatje 90 minuta dhe pushim 30 minuta midis tyre.

Drejtori bënte apelin e mësuesve në orën 8:00 në mëngjes, ku përshëndetja u bë e përditshme, por që shkaktonte dhe ndjenja humori herë pas here. Pas përshëndetjes me mësuesit drejtoresha së bashku me ne nëndrejtoreshat diskutonte në whatsapp për organizimin e ditës dhe udhëzimet që vinin nga strukturat drejtuese të MASR-së.

Në orën 9:00 mësuesit kujdestarë lidheshin me klasat e tyre në kujdestari dhe bënin zgjimin e nxënësve, bënin kujtesën rreth orarit të mësimit, por edhe një përshëndetje ku në radhë të parë siguroheshim për shëndetin dhe problemet që mund të kishin. Unë si nëndrejtore isha në 12 grupet e whatsappit, duke i ndjekur njëkohësisht të 12 klasat dhe kur njihesha me problemet e tyre i  raportoja tek drejtoresha, ku menjëherë merreshin masat. Mësuesit e fizkulturës dërgonin video nga interneti, por edhe të realizuara nga vetë ata, për gjimnastikën e mëngjesit, e cila kishte një kohëzgjatje prej 30 minutash.

Në orën 10:00 fillonte mësimi. Nxënësit ishin pjesëmarrës në të gjitha grupet e mësuesve të lëndëve shkencore dhe sociale.  

Mësuesit në fillim përdorën whatsappin për të përcjellë mësimin me foto ose audio, por më vonë nga trajnimi online nëpërmjet mësuesit të teknologjisë së informacionit u ngritën classroom, gjë e cila solli një risi në mënyrën e përcjelljes së njohurive.

Shkolla jonë numëron 65 mësues që janë të moshave të ndryshme. Mësuesit më të vjetër në moshë e kishin më të vështirë të futeshin në mësimin online, por më vonë edhe ata u bënë pjesë e kësaj metode online. Mësimi duke llogaritur edhe pushimet midis tyre mbaronte në orën 16:00. Duke qenë se kishte një kohëzgjatje të madhe, reduktuam orët e mësimi me 60 minuta dhe pushimet 10 minuta midis orëve.

Dua të theksoj për punën e jashtëzakonshme që ka bërë MASR, e cila nuk u kufizua në përcjelljen e njohurive në këtë mënyrë lidhje gjatë gjithë kësaj periudhe.

Ministria bashkëpunoi me RTSH (Radio Televizioni Shqiptar), duke mundësuar mësimin nëpërmjet televizionit kombëtar. Në whatsapp na dërgoheshin oraret e transmetimit të lëndëve mësimore dhe stafi drejtues ua përcillte mësuesve, prindërve dhe nxënësve për t’i ndjekur live në tv. Këto mësime ritransmetoheshin edhe në oraret e mbasdites. MASR krijoi kanalin youtube ku kalonin mësimet e RTSH.

Gjithashtu mund t’ju them se kishte mësues që përdorën edhe metodën ZOOM për të pasur një kontakt të drejtpërdrejtë me klasën. Disa mësues të tjerë filluan të krijonin edhe kanale të tyre në youtube, në të cilat kalonin mësimet e regjistruara më parë. Këtë metodë kam përdorur dhe unë në mësimin e historisë.

Mësuesit jepnin edhe detyra për nxënësit, të cilët i dorëzonin duke i ngarkuar në classrroom, por sipas rastit ata i dërgonin edhe në email, ku pasi kontrolloheshin nga mësuesi përkatës, ai  u jepte përgjigje për detyrën e dorëzuar po në email ose në whatsapp.

Mësimi online në Shqipëri ishte një sfidë jo vetëm për ne drejtuesit, mësuesit, nxënësit, por edhe për prindërit. Më lart unë falënderova mësuesit dhe MASR, por një falënderim të madh kam edhe për prindërit, të cilët u impenjuan në mënyrë maksimale për pjesëmarrjen e fëmijëve të tyre në mësim.

Sigurisht që mësimi online nuk e zëvendëson dot procesin mësimor në shkollë, por për situatën në të cilën ndodhet e gjithë bota, ne në Shqipëri e them me bindje se ia dolëm me sukses dhe në kohë rekord.

Në datën 18 maj për të mbyllur vitin mësimor në mënyrë dinjitoze, mësimi filloi edhe në shkollë, por vetëm për nxënësit e vitit të fundit, të cilët kishin për të mbyllur ciklin e studimeve në gjimnaz dhe do të vazhdojnë studimet e mëtejshme në universitet. Por, për klasat e 10 dhe 11 mësimi vazhdoi online deri në datën 29 maj, 2 javë përpara planifikimit të  kalendarit vjetor.

Për sa i përket kthimit të mësimit në shkollë të maturantëve, për vetë kapacitetin e madh të nxënësve dhe duke respektuar udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë, na u desh t’i gruponim nxënësit me 10 veta në çdo klasë dhe duke i vendosur në të gjitha ambientet e klasave në të tre katet. U vendos orar i ri mësimor vetëm për ato lëndë mësimore që ishin provim për maturantët. Mësimi në shkollë filloi në 18 maj dhe mbaroi në 5 qershor.

Të gjithë mësuesit iu përgjigjën urdhrit të MASR për dhënien mësim paradite në shkollë dhe pasdite online për klasat e 10 dhe 11.

Nxënësit dhe mësuesit futeshin në shkollë në masa të rrepta sigurie shëndetësore: me maska të vendosura, u bëhej dezinfektimi në hyrje, u matej temperatura dhe pastaj futeshin në klasë. Në çdo bankë kishte dezinfektues duarsh, pasi dorashkat nuk ishin efikase për përdorim gjatë mësimit.

Mësuesit bënin përsëritje të njohurive që ishin pjesë të programit për provim mature. Një punë të madhe ka bërë edhe psikologia e shkollës, e cila si gjatë mësimit online, por edhe kur maturantët u kthyen në shkollë ka zhvilluar leksione mbi menaxhimin e stresit në kushtet e pandemisë.

Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit në lidhje me vlerësimin e nxënësve në regjistrat e shkollës për periudhën e mësimit online, nuk u bë vlerësim me notë në regjistër, por u lejua mësuesi që për nxënësit më sistematikë gjatë mësimit online t’ju jepej një notë plus në notën vjetore.

Provimet e maturës u mbyllën me sukses duke ndryshuar strukturën e testit. Testi ishte vetëm me alternativa dhe korrigjimi i testit bëhej në skaner.

Për mbylljen e dokumentacionit mësuesit u kthyen në shkollë me kohë të plotë deri në datën 12 korrik.

 

 

Disa nga përparësitë e mësimit online janë:

§  Mësimi online plotëson nevojat e të gjithëve që dëshirojnë të arsimohen pavarësisht vështirësive fizike, ekonomike etj.

§  Kërkesa minimale që nxënësit të marrin pjesë në një mësim online është qasja në një kompjuter në internet dhe motivimi për të pasur sukses në mësimin jo-tradicional.

§  Mësimi online ofron një metodë të shkëlqyer të shpërndarjes së mësimdhënies pa kufij nga koha ose nga vendndodhja dhe që lejon mundësinë e realizimit të mësimit kudo dhe në çdo kohë.

§  Mësim i Avancuar: Kjo formë e mësimdhënies rrit thellësinë e të menduarit dhe të kuptuarit mbi përmbajtjen e lëndëve mësimore, nxiten e diskutimeve më kuptimplote, theksohen aftësitë e të shkruarit, shkathtësohen aftësitë teknologjike dhe aftësitë e tjera të jetës sikurse janë menaxhimi i kohës, pavarësia dhe vetë-disiplinimi.

§  Pavarësia në të mësuarit: Mësimi online i vë nxënësit më shumë në pozita pune, u kalit atyre vullnetin dhe punën e pavarur, i shkund ata nga dembelizmi i të pasurit gjërat gati, si dhe u forcon logjikën.

§  Kursime: Akomodohen në mësimin online më shumë nxënës njëherësh, sepse hapësira është pa limit, menaxhohet koha më mirë dhe ka nevojë më pak për përsëritje.

§  Maksimizimi i burimeve fizike: Zvogëlohet kërkesa për infrastrukturë të kufizuar në shkollë.

 

Disa nga mangësitë e mësimit online janë:

§  Reagimet e nxënësve gjatë mësimit online duket sikur janë të kufizuara: sepse gjatë mësimit tradicional në auditor mësuesit mund t'ju japin nxënësve reagime të menjëhershme “ballë për ballë”. Zhvillimi i aftësive komunikuese të nxënësve shpesh neglizhohet nga mësuesit gjatë mësimeve online.

§  Mësimi online mund të shkaktojë izolim shoqëror: nëse përdoret për një kohë të gjatë, pavarësisht se metodat e mësimit online që praktikohen aktualisht në arsim duket sikur kanë tendencë t'i socializojnë nxënësit edhe virtualisht.

§  Të mësuarit online kërkon aftësi të forta të vetë-motivimit dhe menaxhimit të kohës nga ana e nxënësve: sepse disa nga nxënësit e shohin si të vështirë mësimin online.

§  Zakonisht një pjesë e mësuesve në internet kanë tendencë të përqendrohen më shumë në teori sesa në praktikë: sepse pjesa teorike është dukshëm më e lehtë për t’u zbatuar në një mjedis mësimi online sesa pjesa praktike.

§  Mësimi online është i kufizuar për disiplina të caktuara: Të gjitha disiplinat arsimore nuk janë krijuar si të barabarta dhe jo të gjitha fushat e studimit mund të përdoren në mënyrë efektive në mësimin online, të paktën tani për tani. Mësimi online është më i përshtatshëm për shkencat sociale dhe humane, sesa për fushat shkencore siç janë: matematika, fizika, informatika, të cilat zakonisht praktikohen në tabela apo laboratorë dhe platformat për aktivizimin e nxënësve në këto lëndë ende nuk janë ofruar, gjithashtu realizimi me sukses i këtyre lëndëve kërkojnë një shkallë të caktuar përvoje praktike online nga ana e mësuesve.

§  Problemet e rrjetit: Aksesi dhe qasja në internet janë një tjetër sfidë e mësimit online, e cila lidhet me mundësitë dhe vendndodhjen e nxënësve, me mjetet dhe infrastrukturën e nevojshme teknologjike, gjë që e bën të pabarabartë mundësinë e ndjekjes së mësimit online edhe për shkak të ekonomisë familjare.

 

Sugjerime për përmirësimin e mësimit online

Në ditët e sotme është ndërtuar një industri e tërë për ta bërë të mundur mësimin online në nivele cilësore.

Për sa i përket lëndëve specifike që janë kryesisht shkencore dhe bazohen në formula, sikurse janë lëndët: Matematikë, Fizikë, Informatikë, Kimi, kjo kërkon platforma specifike sikurse është "blackboard"( tabelë e zezë) ose smart board (tabelë magnetike) që në shkollën tonë janë të dyja, e cila në njëfarë mënyre zëvendëson tabelën, por nëse krijohen mundësi pjesëmarrje të nxënësve në klasë jo më shumë se dhjetë vetë. Por edhe mësimi në laboratorët në shkollë, ku mësuesi ndoshta dhe me dy nxënës prezentë të mund të demonstrojnë eksperimente në laboratorët kimi, fizikë, që shkolla jonë i disponon. Për lëndën matematikë mendoj që të vazhdojë shpjegimi i mësuesit në tabelë në klasë, duke e regjistruar mësimin dhe duke e përcjellë në kanal youtube. Një raste të tilla kemi mësuesen e matematikës që regjistroi mësimet e saj, duke i shkruar në tabelë.

Ka plotë risi teknologjike, na mbetet të marrim më të mirën.

 

Tiranë, Albania

18.07.2020

 

 Ky artikull u botua ne fletoren zyrtare te D.I.S.A. L.it


 

 

Wednesday, 28 August 2013

NJË KËNDVËSHTRIM NDRYSHE I PERIUDHËS SË PAVARËSISË NË HISTORINË E SHQIPËRISË (KAPITULLI X DHE XI) [Nga Mirela Novruzaj]

1. Roli i individit në histori.
2. Ndikimi i familjes në formimin e tij.
3. Roli dhe qëndrimi i tij për ngjarjet në Shqipëri, 1864. Fillimet e veprimtarisë politike dhe diplomatike.
4. Qëndrimi i Ismail Qemalit ndaj kryengritjes në vilajetin e Kosovës.
5. Roli i tij në njohjen e pavarësisë së Shqipërisë.
6. Politika e brendshme në qeverinë e Ismail Qemalit.

Roli i individit në histori.
Teksti dhe programi i historisë së Shqipërisë shumë pak ka ndryshuar në formë dhe përmbajtje. Në kushtet dhe situatat në të cilat ndodhemi sot, është e rëndësishme të përcjellim nëpërmjet historisë frymën e tolerancës dhe paqes. Roli i individit në histori është shumë i rëndësishëm si udhëheqës dhe reformator i ndryshimit të situatave dhe të ngjarjeve në të mirë ose jo të vendit. Në qoftë se do të lexoni me kujdes, në kapitullin X dhe XI janë shkruar me hollësi ngjarjet dhe kryengritjet e shumta që kanë ndodhur në këtë periudhë. Kjo periudhë është një nga periudhat më të ndritura të historisë, pasi aty shihet finalizimi njëmijëvjeçar i përpjekjeve të shqiptarëve për ta parë vendin e tyre si një shtet që figuron në hartën e Ballkanit. Duke u nisur nga ideja  që në ndryshimet dhe transformimet në histori rol parësor luan individi, për këtë periudhë, pa dyshim, rol parësor ka luajtur figura e diplomatit të pazëvendësueshëm që ka njohur historia shqiptare, ajo e plakut të urtë Ismail Qemali. Ky personalitet historik për 60 vjet u mundua të tregonte para diplomacive europiane mënyrën dhe rrugën më të drejtë të respektimit të kombeve. Do të ishte më mirë të flitej më shumë për përpjekjet e tij diplomatike në detaje të takimeve, bisedave, qoftë me figura historike të kombit shqiptar, qoftë me diplomatë të huaj. Do të ishte tepër interesante që në këta kapituj të flitej më shumë rreth kësaj figure historike, për jetën private, fillimet e veprimtarisë politike, rolin e tij në revolucionin xhonturk, Parlamentin Osman, misionin e Bukureshtit, përpjekjet e tij për njohjen e kufijve. Me mënyrën si kërkonte të ndërtonte shtetin, mund të themi se ai hodhi themelet e një shteti të mirëfilltë kapitalist jo vetëm në politikat ekonomike, agrare, fiskale, por edhe në politikën e brendshme dhe të jashtme. Në rishikim të temave të këtyre dy kapitujve duam të përcjellim idenë për përdorimin e rrugës diplomatike në njohjen e çështjes shqiptare. Duke folur pak më shumë për këtë figurë historike në këta kapituj, ky personalitet bëhet një shembull edukimi në ditët e sotme. Në kushtet aktuale në të cilat jetojmë sot, nuk do të lija pa përmendur thënien e shkrimtarit tonë Ismail Kadare : "Shqipëria është një vend i vogël, ajo nuk ka një diplomaci tradicionale dhe na mbetet ne shkrimtarëve ta mbrojmë.".
Duke marrë një periudhë kaq të rëndësishme ku luheshin fatet e ekzistencës si komb, është pikërisht Ismail Qemali që, me maturinë dhe pjekurinë dhe pjekurinë e tij politike, e bëri çështjen shqiptare të njohur në arenën europiane, prandaj të vendoset në qendër roli dhe figura e Ismail Qemalit me gjithë madhështinë e tij, duke bërë ngushtimin e temave të mëparshme. Ai ndërtoi një qeveri demokratike ku përfshiu në të  edhe përfaqësues të shtresës çifligare dhe në mënyrën si kërkonte të trajtonte pronësinë mbi tokën. Në organizimin e sistemit arsimor objektivat qene mjaft të qarta, ai kërkonte jo vetëm njësimin e gjuhës shqipe, por edhe përdorimin e asaj të huaj, gjuhës frënge, si gjuhë komunikimi në administratë.

Ndikimi i familjes në formimin e tij.
Tek një personalitet, ndikim shumë të madh dhe kryesor në formimin e tij politik luan edhe origjina e familjes. Fakti se ai ishte bir i një prej familjeve më të pasura, treqindvjeçare, nga e cila vazhdimisht kishin dalë qeveritarë që, si pashallarë apo bejlerë, sunduan në Sanxhakun e Vlorës. Ndikimi i drejtpërdrejtë i të atit në njohjen e përpjekjeve të shqiptarëve kundër pushtuesit turk, ushqyen tek ai ndjenjat e atdhetarizmit dhe njohja e shumë gjuhëve të huaja, largpamësinë në njohjen e problemeve dhe rrugëzgjidhjen e tyre.
Arsimimi në gjimnazin “Zosimea” në Janinë zgjeroi më shumë njohuritë e tij në fushën e kulturës antike dhe modern. Fakti se kjo shkollë ishte qendra e përhapjes së iluminizmit përparimtar europian, la gjurmë në reformat që ai do të propozontemë vonë në ndarjen administrative të Perandorisë Osmane ku kërkonte të respektohej liria e popujve, dhe në reformën agrare ku çdo individ ka të drejtë të zotërojë pronë. Në vitin 1860 ai punoi si përkthyes në Ministrinë e Punëve të Jashtme osmane. Vazhdimi i studimeve në shkencat juridike, punësimi në administratën osmane si sekretar dhe si guvernator, e bënë më të ndjeshëm në njohjen e problemeve të vështira që kërkonin zgjidhje duke lënë gjurmë në idetë e tij liberale e demokrate.
Njohja e tij me reformatorin turk Mithat Pasha dhe idetë e tij se modernizimi i Perandorisë Osmane mund të bëhej me anë  të reformave dhe jo me anë të revolucioneve, u bënë nxitje në përpjekjet e tij për rrugën që kërkonte të ndiqte në vendosjen e autonomisë së Shqipërisë me anë të dialogut dhe bisedimeve me diplomatë europianë. Idetë liberale dhe demokrate të Ismail Qemalit duken edhe në faktin se ai ishte kundër persekutimit racor që i bëhej në atë kohë izraelitëve: “Është turp dhe krim të shash dhe të mundosh një popull të tërë vetëm e vetëm se ka lindur dhe është i një race tjetër”.

Pra ai kërkonte bashkëjetesë paqësore të racave dhe të etnive në Ballkan. Si analist i problemeve dhe krizave që kishin kapur Perandorinë Osmane, ai shpesh hidhte idenë e reformave administrative. Qëndrimet dhe idetë e tij reformatore në decentralizimin e Perandorisë dhe dhënies sa më shumë pavarësi pushtetit local, mbështeteshin dhe nga shtypi europian i asaj kohe.

Roli dhe qëndrimi i tij për ngjarjet në Shqipëri në vitin 1864.
Viti 1864 do ta gjente Ismail Qemalin në mbledhjen e organizuar nga patriotët shqiptarë për krijimin e shoqërisë së Stambollit ku ai hodhi idenë e përdorimit të alfabetit latin për gjuhën shqipe, që tregon prirjet e tij përparimtare europiane. Për sa i përket Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe rolit të saj, shohim se Ismail Qemali qëndroi indiferent dhe nuk u aktivizua, pasi i përmbahej idesë së reformimit të Perandorisë Osmane nëpërmjet pavarësisë së pushteteve lokale. Ai ishte kundër kryengritjes së armatosur, pasi kjo nuk ishte rruga diplomatike e zgjidhjes së problemeve në kohën kur kalbëzimi i Perandorisë Osmane vërehej në arbitraritetin dhe anarkinë e saj. Ismail Qemali kërkonte që kombi i tij t'i zgjidhte problemet me sa më pak gjakderdhje. Duke analizuar me mendjeprehtësi se cila ishte e ardhmja e Perandorisë Osmane, ai mbështeti fort tezën e autonomisë lokale nën Perandorinë Osmane. Fuqitë europiane në atë periudhë i shihnin kryengritjet e armatosura si rruga më pak e efektshme për zgjidhjen e problemeve. Ato më shumë do të mbështetnin Perandorinë Osmane në shtypjen e kryengritjeve, sesa kombet që vuanin prej shekujsh në të. Në reformën administrative të Perandorisë Osmane ai kërkonte bashkimin e vilajeteve shqiptare në një të vetëm me qendër Manastirin ose Ohrin si dhe arsimimin e popullsisë. Synimet e monarkive ballkanike të cilat kërkonin të aneksonin trojet shqiptare, bënë që Ismail Qemali të mbështeste fort idenë e një vilajeti të vetëm nën Perandorinë Osmane. Këtë e kërkonte që Shqipëria të njihej në hartën e Ballkanit dhe pavarësia e saj do të  vinte gradualisht, ateherë në kohën e shthurjes së Perandorisë Osmane Shqipëria do të ishte një shtet i pavarur. Pra nuk ishte koha e organizimit të kryengritjeve të armatosura ku të luftohej për çlirimin e vilajeteve, në kohën kur shtetet fqinjë nuk e njihnin si komb më vete, por të copëtuar ku ato mund të zgjidhnin. Amullia politike në Perandorinë Osmane dhe arbitrariteti i saj bënin që situatat dhe ngjarjet në Ballkan të vendoseshin nga popujt sipas mënyrës së vet dhe mendësive të tyre. Mënyra si kërkonte të zgjidhte çështjen shqiptare ishte një nga rrugët më të drejta dhe më demokratike që tregonte pjekurinë politike të tij. Ky është një nga problemet që lë shumë për të diskutuar, se ne jemi i vetmi komb që u copëtua më shumë. Mbrojtja e idesë për një Shqipëri autonome nën Perandorinë Osmane nuk do të thotë se Shqipëria do të ngelej përjetësisht nën të, pasi shkatërrimi i saj po vinte në mënyrë natyrale. Pjesëmarrja e Ismail Qemalit në Kongresin xhonturk, më 4 shkurt 1902 dhe plani i fshehtë në organizimin e grushtit të shtetit për rrëzimin e sulltan Abdyl Hamitit, tregon se Ismail Qemali tashmë po hidhej në veprime konkrete për realizimin e reformave të tij në Perandorinë Osmane. Ai kërkonte të tërhiqte vëmendjen e fuqive europiane që të shtrëngonin Perandorinë Osmane në decentralizimin e pushteteve. 
Ismail Qemali u mundua të krijonte terren të përshtatshëm edhe me fqinjët për arritjen e synimeve të tij kombëtare. Ai dinte shumë mirë të shfrytëzonte situatat dhe konfliktet midis shtetit bullgar dhe atij grek duke krijuar afrimitet me këtë të fundit mbi bazën e parimit të bashlëpunimit dhe të mosndërhyrjes së ndërsjellë. "Grekët dhe shqiptarët, pa dallim feje, jemi vëllezër dhe miq, kemi interesa dhe rreziqe të përbashkëta". A nuk do të ishte kjo aktuale edhe për ditët tona? Po kështu, në intervistën e tij të dhënë gazetës "Tribuna", në vitin 1907, ai thekson se duhet të krijohet një Shqipëri e bashkuar dhe e fortë, gjë që është në interes të Ballkanit dhe të Italisë për të mos zëvendësuar Perandorinë Osmane me atë sllave në Ballkan. Pra po perëndonte koha e perandorive dhe ishte koha e krijimit të kombeve të reja dhe e respektimit të tyre. Takime dhe biseda me personalitete të ndryshme në Greqi, Itali, Egjipt, Bruksel, Paris, Vjenë, tregojnë qartë afirmimin e tij si diplomat shumë i zoti që mbrojti me forcë çështjen kombëtare, jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të kombeve të tjera në Ballkan. Pavarësisht se në vendin tonë ekzistonte një shtresë patriotësh, ata nuk ishin shumë qartë në format dhe mënyrat që kërkonte Ismail Qemali në zgjidhjen e çështjes shqiptare, prandaj ngeleshin gjithmonë në kuadrin e kryengritjes së armatosur. Ismail Qemali këmbëngulte me forcë në arsimimin e popullsisë, që do të çonte në ngritjen kulturore të tyre.

Qëndrimi i Ismail Qemalit ndaj kryengritjes në vilajetin e Kosovës.
Duke analizuar shkaqet e kryengritjes së 1910-s, Ismail Qemali sheh si pikënisje protestat për taksat e shumta që paguante populli dhe politikën shtypëse ushtarake të xhonturqve në Kosovë. Për mosacarimin e mëtejshëm të situatës midis popullit kosovar dhe Perandorisë Osmane, Ismail Qemali, në diskutimet në Parlamentin osman, vuri në dukje përfitimet e mëdha që kishte pasur Perandoria Osmane nga shqiptarët, kontributin e veçantë që ata kishin dhënë në fitoren e revolucionit xhonturk dhe mbrojtjen e Kushtetutës. Mënyra si e trajtoi kryengritjen e 1910-s në Parlamentin osman, rriti prestigjin dhe autoritetin e tij në Shqipëri si një personalitet që kishte dhënë prova të shumta patriotizmi. Luftën diplomatike ata e lidhën më luftën parlamentare në të cilën ishin vetë xhonturqit që ua imponuan patriotëve shqiptarë dhe në mënyrë të veçantë  Ismail Qemalit. Rrethanat dhe situatat ishin aq të ndërlikuara, saqë ai arriti në përfundimin se shqiptarët do t'u dilnin punëve përpara vetëm në rast se aspiratat e tyre do të shpreheshin me anë të kryengritjes së armatosur për të tërhequr edhe më shumë  vëmendjen edhe të fuqive të mëdha. Arsyen e shpërthimit të kryengritjeve e shpjegon me faktin se shqiptarët e kishin humbur besimin ndaj Kushtetutës. Ismail Qemali theksonte se me kërkesa individuale, rezoluta dhe memorandume nuk mund të fitohet asgjë. Pas bisedimeve të pasuksesshme me Austro-Hungarinë, Ismail Qemali, ky diplomat me një përvojë të madhe politike, diplomatike, si udhëheqës që kishte qenë në shumë krahina të Perandorisë Osmane gjatë karrierës së vet politike, vendosi edhe njëherë të vinte në kandar pulsin e diplomacisë italiane për të ndihmuar Shqipërinë për njohjen e pavarësië. Kësaj radhe mori përgjigje të prerë: po ne jemi të gatshëm të ndihmojmë Shqipërinë në rrugën e pavarësisë, por kemi frikë të dalim publikisht në vijë të parë për mbrojtjen e çështjes shqiptare, pasi në Ballkan ndeshet drejtpërsëdrejti interesi anglo-rus në një anë dhe, në anën tjetër, interesi austro-gjerman. Pra ndërhyrja jonë vetëm do të shpejtonte luftën ballkanike dhe interesi politik italian do të ishte fare pa leverdi në aspektin politiko-strategjik. Në kohën kur në Ballkan monarkitë greko-serbe po organizoheshin në lëvizje të reja, në Shqipërinë kryengritja po merrte përmasa edhe më të mëdha. Ministri Qamil Pasha, në takimin me Ismail Qemalin i ofroi nje post si udhëheqës në Tripoli. "Unë nuk dua post, unë dua zgjidhjen e Shqipërisë, se i kam borxh kryekëput atdheut tim".

Roli i tij në njohjen e Pavarësisë së Shqipërisë.
Më 9 nëntor 1912, nga Vjena dërgoi në Vlorë një telegram: "E ardhmja e Shqipërisë është e sigurt, telegrafoni kudo, që të kenë besim në fatet e atdheut". Të ndodhur në rrethana shumë të vështira ku ushtritë malazeze dhe serbe kishin hyrë thellë në territoret shqiptare, më 28 Nëntor 1912, Ismail Qemali vendosi të shpallte Pavarësinë e Shqipërisë. Pasi lexoi ekspozenë e vet në mënyrë të shkëlqyer diplomatike, Ismail Qemali tha: "Tani nuk na ka mbetur tjetër rrugë, veç ndarjes së Shqipërisë nga Turqia" dhe propozoi që Shqipëria të shpallet "shtet më vete - i lirë, i pavarur". Me aktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, kryetari i Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemali, më 29 Nëntor 1912 i njoftoi për aktin historik gjashtë fuqitë e mëdha: Anglinë, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë, Rusinë dhe shtetet ballkanike: Rumaninë, Malin e Zi, Serbinë, Bullgarinë, Greqinë, Turqinë, duke kërkuar të njihnin Aktin e Pavarësisë, si ndryshim i vullnetit politik të kombit shqiptar. Në njoftim thuhej se Shpallja e Pavarësisë ishte vullnet politik i popullit shqiptar duke pasur për qëllim të jetojë në paqe dhe harmoni me të gjitha shtetet fqinje. Shqiptarët kërkojnë të jenë të lirë dhe të bashkëjetojnë në mënyrë paqësore me fqinjët e tyre. Pas njëzet ditëve të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në kufijtë historiko-etnikë, fuqitë e mëdha njoftuan Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Kjo ishte një çështje me rëndësi shumë të madhe për popullin shqiptar, aq më tepër duke marrë parasysh se aleatët ballkanikë u detyruan të pranonin Shqipërinë e pavarur. Më 22 mars 1913 fuqitë e mëdha dolën me propozim të ri për ndarjen e Shqipërisë në dy pjesë. Ky lloj arbitrizmi që iu bë popullit shqiptar, nuk mbahet mend në historinë e njerëzimit, pasi nuk ka asnjë shtet që të kufizohet nga të gjitha anët me popullin e vet. Mis Edit Durham thotë: "Kjo ishte një kurdisje e shteteve fqinjë dhe e fuqive të mëdha me në krye Rusinë". Problemi i kufijve kushtëzohej kryesisht nga dy faktorë: Nga njëra anë, Shqipëria prej shekujsh kishte qenë vërtet një nocion etnik, pa pasur asnjëherë ndonjë përcaktim gjeografik apo politiko-administrativ. Në këtë vështrim, kërkesa këmbëngulëse e shqiptarëve që nga vitet 1878 e prapa që trevat shqiptare nga ana tekniko-administrative të përfshiheshin në kuadrin e Perandorisë Osmane ishte plotësisht e përligjur. Por, nga ana tjetër, ishte rrethana që kufijtë e Shqipërisë së ardhme mund të bëheshin vetëm nëpërmjet një kompromisi. Nga kjo mangësi Shqipëria ka njohur gjithmonë vështirësi politiko-ekonomike dhe nuk ka pasur kurrë qetësi. Austro-Hungaria u angazhua me të gjitha forcat e saj për plotësimin e kërkesave të shqiptarëve në Veri dhe në Verilindje, Italia për ato në Jug dhe Juglindje. Që të dyja këto shtete luftuan, ndonëse jo në shkallë të njëjtë për krijimin e një Shqipërie të aftë për të jetuar. Ambiciet e verbëra të Esat pashë Toptanit ishin rrjedhoja të papjekurisë politike të shqiptarëve, por edhe rezultat i intrigave të fqinjëve tanë ballkanikë të cilët donin pengonin me çdo kusht lindjen dhe zhvillimin normal të Shqipërisë së re.

Politika e brendshme në Qeverinë e Ismail Qemalit.
Ismail Qemali filloi veprimtarinë e tij si kryetar i Qeverisë së Përkohshme në rrethana shumë të vështira nga ku dilnin detyra të mëdha e të ndërlikuara:
- Njohja e shtetit shqiptar në arenën ndërkombëtare,
- Caktimi i kufijve politikë në hapësirën etnike shqiptare,
- Konsolidimi i autoritetit të Qeverisë së Përkohëshme.
Veprimet për forcimin e shtetit shqiptar u përcaktuan nga raportet klasore dhe situata politike e vendit . Duke marrë parasysh se shteti i ri ishte një shtet çifligaro-borgjez dhe organizimi i brendshëm i jetës së vendit do të pasqyronte interesat e këtyre klasave, Ismail Qemali iu përvesh punës për të vënë në jetë një politikë të brendshme sa më progresive.

1. Ndërtimi administrativ i Shqipërisë.
Varianti i ndarjes së Shqipërisë në kantone sipas modelit zviceran, duke iu përshtatur autonomive krahinore, u hodh poshtë nga patriotët shqiptarë. U pranua varianti i ndarjes së vendit në prefektura, nënprefektura dhe krahina. Kjo ndarje e vendit ndryshonte nga ajo e Perandoritë Osmane, duke i dhënë shtetit shqiptar në një farë shkalle fizionominë e një sheti modern. Ismail Qemali mendonte se zhvillimi i shpejtë i vendit nuk mund të realizohej pa një ndihmë financiare nga jashtë dhe pa përkrahjen e kapitalit të huaj nëpërmjet dhënies së koncesioneve.

2. Krijimi i Bankës Kombëtare.
Ismail Qemali e shihte si çështje tepër të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit dhe për t'i ardhur në ndihmë borgjezisë së dobët shqiptare, si dhe për krijimin e një sistemi monetar dhe të kreditit në Shqipëri duke pranuar parimisht dhe kapitalin e huaj. Marrëveshjen për ngritjen e bankës ai e quajti "fitimin e dytë pas lirisë, nga pikëpamja ekonomike dhe politike".

3. Reforma agrare.
Në fjalimin që mbajti më 21 tetor 1913, Ismail Qemali preku edhe çështjen e tokës. Ai shfaqi idenë e një reforme agrare duke e trajtuar si një borgjez liberal. Kërkonte pajisjen e fshatarit me tokë kundrejt pagesës duke mos cenuar pronësinë e madhe private mbi tokën. Ai ngriti një komision shtetëror për shqyrtimin e kufijve të çifligarëve sipas tapive, me qëllim që t'i ktheheshin shtetit dhe fshatarëve  tokat e grabitura nga çifligarët. Kjo solli  kundërshtimin e madh të çifligarëve. Kalimi i pronave të Perandorisë Osmane shtetit shqiptar ishte një masë e rëndësishme nga pikëpamja kombëtare. Ai nuk arriti të realizonte një reformë agrare borgjeze, nga marrëdhëniet e vjetra çifligare mjaft të theksuara, mungesa e një rryme të fortë demokratike në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe sundimi i gjatë osman. 

4. Politika arsimore.
Idetë e tij të shfaqura qysh në vitin 1900 për arsimin tashmë po bëheshin realitet. Ai ishte për një arsim të përgjithshëm falas dhe laik, për përdorimin e gjuhës shqipe si  gjuhë zyrtare dhe diplomimin e mësuesve (hapet Normalja e Elbasanit). Si përkrahës i të drejtave të pakicave kombëtare, ai pranoi shkollimin e tyre në gjuhën amtare, por që do të bëhej vetëm atëherë kur në qytete të kishte koloni të huaja të mëdha. Të huajt mund të hapnin shkolla profesionale. Si gjuhë të dytë në administratë, Ismail Qemali ishte për vendosjen e gjuhës frënge, pasi ajo ishte gjuhë ndërkombëtare.


BOTUAR NE BULETININ E INSTITUTIT TË KURRIKULAVE DHE STANDARDEVE (Tiranë 2006)

Friday, 23 August 2013

Historia e qytetit të Fierit

Themelimi i qytetit.
Qyteti i Fierit u themelua në 558 p.e.s në një kodër pranë detit dhe afër grykëderdhjes së lumit Aoos(Vjosa) nga kolonë të ardhur nga Korinthi e Korfuzi. Në lulëzim të tij mendohet të ketë pasur një popullsi prej 50 000- 60 000 banorësh. Për rendësinë ekonomike dhe kulturore dhe për hapësirën e madhe të shtrirjes, Ciceroni e ka quajtur "qytet i madh dhe hijerëndë". Në 1769 ishte një fshat 24 shtëpi prej balte dhe qerpiçi të ndërtuara nga banorët e Voskopojës, që sapo ishin ngulur në Fier dhe rrethinat përreth.
Fieri
Qyteti modern i Fierit u themelua në 1864 nga Kahraman Pashë Vrioni, i cili, me ndihmën e urbanistëve dhe arkitektëve francezë, hodhi themelet e qytetit modern të Fierit. Kjo ruhet edhe sot, ku ndërthuren dy sisteme: ai kuadratik dhe rrezor. Në librin e saj "Brenga e Ballkanit", udhëtarja angleze Edit Durham, kur shkruan për Fierin e vitit 1904, tregon se në të janë ngritur godina prej guri me arkitekturë moderne.
Qyteti u projektua sipas modelit të qyteteve të Rilindjes Europiane të shek XIX-të. Fieri e krijoi statusin e tij ekonomik si qytet tregtar e zejtar. Kjo qendër tregtare u përdor si pikë referimi, edhe prej dy topografëve italianë Tabolini dhe Mamori, që projektuan arkitekturën e ndërtimit të qytetit. 
Origjina e emrit të Fierit është e diskutueshme. Mendohet se emri "Fier" vjen prej fjalës italiane "fiera" (panair). Sipas mbështetësve të kësaj teze, ishin tregëtarët Venedikas që e emërtuan qytetin në shekujt XIV-XV, kur blinin produktet nga tregjet e qytetit.

Historia e Tiranës

Historia e krijimit të Tiranës lidhet me bërthamën historike të qytetit me Kalanë e Tiranës. Kalaja është dëshmia më e lashtë e qytetit. Ajo  është ndërtuar në kohën e pushtimit romak gjatë shek II-të. Ajo ndodhet pikërisht në vendin ku kryqëzoheshin rrugët e vjetra e të reja, të cilat e lidhnin qytetin me pjesët e tjera të Shqipërisë.
 Nga gërmimet arkeologjike që janë bërë, vihen re qartë në themel të saj gurë të mëdhenj e pa lidhje llaçi, traditë e ndërtimeve të asaj periudhe. Përgjatë gjatësisë së murit shohim se gurët janë më te vegjël e me lidhje llaçi, traditë e ndërtimeve të mesjetës. Kjo tregon se kalaja ka qenë e banuar edhe në brezat e mëvonshëm.
 Gjatë kohës së sundimit të Perandorit bizantin, Justinian, ai e rindërtoi kalanë dhe ndërtoi kalatë në kodra: të Petrelës, Ndroqit, Lalmit, Tujanit, Prezës etj. Këto kala u ndërtuan për të mbrojtur kalanë në qendër. Ajo gjatë sundimit anzhuin ka shërbyer si seli qendrore e Karlit te II Anzhu, mbret i Arbërit dhe Sicilisë. Ndërtimi i saj në zonën fushore është tipike e ndërtimit të kalave edhe në Europë, ku kalatë kanë qenë bërthama historike të krijimit të qyteteve.
 Pra historia e krijimit të Tiranës nuk lidhet me ngritjen në 1614 të xhamisë nga Sulejman Pasha. Ai vazhdoi të ndërtonte në krah të kalasë, pasi ajo e kishte humbur rëndësinë e saj nga pushtimi i gjatë osman. Pra, pushtimi  osman ndërpreu traditën mesjetare europiane të ndërtimeve, jetën social- ekonomike dhe fetare në vendin tonë.